Fjala e fundit u tha… Presidenti Donald Trump ka zhvilluar mitingjet e fundit elektorale në Kansas dhe Iowa. Ai ka dalë në terren në përpjekje për të mobilizuar votuesit republikanë në prag të zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit, ku partia e tij rrezikon një humbje të rëndë.
Në mitingun e fundit në Kansas, presidenti amerikan u shpreh i bindur për një fitore dërrmuese dhe akuzoi kundërshtarët politikë se synojnë të marrin kontrollin e Shteteve të Bashkuara.
“Kjo është në fakt ndalesa jonë e fundit. Sonte e përmbyllim gjithçka. Por kemi kaluar shumë mirë. Dashuria e njerëzve në këtë vend është e pabesueshme. Por unë po ju kërkoj vetëm një gjë: dilni dhe votoni. Sepse, nëse e bëni këtë, do të arrijmë një sukses të jashtëzakonshëm”, tha Trump.
Demokratët shihen si favoritë për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa gara për Senatin mbetet e hapur. Sondazhi i fundit i NBC-së tregon se demokratët kanë zgjeruar avantazhin në 52 për qind, kundrejt 45 për qind të republikanëve, dy pikë më shumë se muajin e kaluar. Edhe një sondazh i New York Times-Siena i rendit demokratët në avantazh në shumicën e shtatë shteteve që mund të përcaktojnë balancën e pushtetit në Senat.
Në Teksas, Kansas dhe Miçigan, kandidatët demokratë kryesojnë me diferenca të konsiderueshme, ndërsa avantazh kanë edhe në Maine dhe Ohajo; në Alaskë gara mbetet e ngushtë. Trump ka paralajmëruar se, nëse demokratët fitojnë, ai do të bëhet “zoti veto”, ndërsa u ka premtuar amerikanëve 5 mijë dollarë për çdo të rritur në rast të fitores republikane. (A2 Televizion)