Ukraina dhe Rusia kanë raportuar sulme të njëpasnjëshme kibernetike ndaj aplikacioneve të tyre të emergjencave, duke shkaktuar shpërndarjen e paralajmërimeve të rreme për kërcënime të rënda ndaj popullsisë.
Në Ukrainë, qytetarët morën njoftime për rrezik radioaktiv, sulme kimike, luftime në rrugët e Kievit dhe madje edhe për një sulm të mundshëm bërthamor, përpara se Forcat Ajrore të sqaronin se nuk kishte asnjë kërcënim të menjëhershëm bërthamor.
Autoritetet ukrainase dyshojnë për ndërhyrje ruse, ndërsa disa orë më vonë edhe Moska njoftoi se kishte qenë objekt i një sulmi masiv kibernetik, që kishte shkaktuar shpërndarjen e informacioneve të rreme përmes postës elektronike.
Deri tani nuk dihet kush qëndron pas sulmit ndaj sistemit rus dhe nëse të dyja incidentet janë të lidhura, ndërsa zhvillimet shtojnë shqetësimet për përdorimin e luftës kibernetike në konfliktin mes dy vendeve. (A2 Televizion)