Pas 11 ditësh luftime të përgjakshme dhe trysnisë së shtuar ndërkombëtare, Izraeli dhe Hamasi u dakordësuan për ndaljen e dhunës. Armëpushimi reciprok dhe pa kushte, siç e cilësoi Izraeli, hyri në fuqi në orët e para të së premtes, duke i dhënë fund bombardimeve që lanë më shumë se 240 të vdekur, shumica e të cilëve palestineze.. në rrugët e Gazës shpërtheu festa.
“Ky është një çlirim. Ne kemi fituar kundër hebrenjve, e thyem krenarinë e tyre. Shpresoj që Zoti ta mbrojë rezistencën”, tha një banor i Gazës. Shtetasit izraelitë janë më të përmbajtur dhe skeptikë lidhur me armëpushimin.
“Mendoj se armëpushimi është diçka e mirë për arsye humanitare, për t’i lënë qytetarët në të dyja kampet të çlodhen. Por jam skeptik se sa do të zgjasë. Nuk mendoj se Izraeli arriti shumë”, u shpreh një izraelit.
Ashtu si tre luftërat e mëparshme midis dy armiqve të vjetër, raundi i fundit i luftimeve përfundoi pa ndonjë zgjidhje të konfliktit, edhe pse të dyja palët pretendojnë fitoren. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, tha se ofensiva në Gaza kishte sjellë fitore të paprecedenta ushtarake në terren. Ndërsa Hamasi paralajmëroi se i ka ende duart te këmbëza armës. Për presidentin amerikan Joe Biden, armëpushimi ishte mundësi reale për progres.
"Unë besoj se palestinezët dhe izraelitët meritojnë të jetojnë në mënyrë të sigurt dhe në siguri, të gëzojnë masë të barabartë të lirisë, begatisë dhe demokracisë. Administrata ime do të vazhdojë diplomacinë tonë të qetë, të paepur drejt arritjes së këtij synimi", deklaroi Biden.
Ndërsa përsëriti formulën tradicionale të SHBA-së se Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga ekstremistët, Biden tha se do të punonte me OKB-në për t’i ofruar mbështetje humanitare banorëve të Gazës. Ai vlerësoi rolin e presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi për ndërmjetësimin e armëpushimit. (A2 Televizion)