
Përshpejtimi i fushatave të vaksinimit ndaj Covid-19, ka sjellë optimizëm në Bashkimin Europian. Eurokomisionerja për Shëndetësinë e konsideroi këtë shenjë të mirë për një sezon veror të qetë.
“Mbi 20 milionë vaksinime po kryhen çdo javë në Bashkimin Europian, krahasuar me pak qindra-mijëra në javë që bëheshin në janar. Ne tani mund të shohim përpara me më shumë besim dhe drejt sezonit veror me optimizëm të përmbajtur”, deklaroi Stella Kyriakides, komisionere e BE-së për Shëndetësinë.
Eurokomisionerja për Shëndetësinë shtoi se deri më tani, 40% e popullatës së vendeve të BE-së kanë marrë të paktën një dozë, ndërsa 17% janë imunizuar plotësisht ndaj Covid-19. Ndërkohë, sot pritet të zhvillohet dhe raundi i fundit i negociatave për përdorimin e certifikatave të imunitetit si metodë për rihapjen e turizmit këtë verë.
Ligjvënësit e Parlamentit Europian, përfaqësuesi i presidencës portugese të Unionit dhe një zyrtar nga Komisioni Europian do të diskutojnë për aplikimin dhe rregullat e skemës dhe zbutjen e politikave kufitare.
Certifikata e imunitetit pritet të hyjë në zbatim nga qershori, ndërsa për vizitorët nga vendet jo anëtare do të aplikohet një plan tjetër në bazë të nivelit të përhapjes së Covid-19. Ambasadorët e 27 vendeve anëtarë aprovuan një lehtësim kufizimesh për udhëtarët nga vendet e treta duke u lejuar hyrjen të gjithë atyre që janë imunizuar plotësisht me vaksinat e aprovuara nga EMA. (A2 Televizion)