
Vaksinat kundër Covid-19, të cilat po përdoren aktualisht në Europë, ofrojnë mbrojtje ndaj të gjitha varianteve të koronavirusit, në qarkullim përfshirë atë indian.
Deklarata, e cila iu jep një frymëmarrje lehtësimi europianeve erdhi nga Drejtori për Europën, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge.
“Të gjitha variantet e koronavorusit që janë shfaqur deri më tani, u përgjigjen vaksinave të aprovuara në dispozicion.Më lejoni t'ju them se të gjitha variantet e koronavirusit mund të kontrollohen në të njëjtën mënyrë, me masa sociale dhe të shëndetit publik.”
Shtetet rreth Europës po përdorin kryesisht vaksinat e Pfizer, Modernës, Astra Zeneca dhe Johnson&Johnson, por gjihtashtu edhe vaksinat ruse dhe kineze.
Megjithatë, Kluge paralajmëroi se autoritetet shëndetësore duhet të tregohen vigjilentë ndaj rritjes së numrit të infektimeve në rajon, dhe të shmangen udhëtimet ndërkombëtare.
“Përballë kërcënimit të vazhdueshëm, dhe pasigurive të reja ne duhet të tregojmë kujdes. Të rimendojmë ose shmangim udhëtimet ndërkombëtare.”
OBSH tha se që prej identifikimit të variantit B.1 617 në Indi, ai është përhapur në të paktën 26 vende; nga Austria, Greqia, Izraeli e deri në Kirgistan
Kluge tha se zyra rajonale e OBSH-së po shihte me optimizëm të përmbajtur, përmirësimin e situatës pandemike në Europë.
“Jemi në drejtimin e duhur, por duhet të tregojmë vigjilencë. Në disa shtete ka vatra të rritjes së infektimeve që mund të kthehen shpejt në shpërthime të rrezikshme. Pandemia nuk ka përfunduar ende.” (A2 Televizion)