
Wes Anderson, Ken Loach, Todd Haynes dhe Wim Wenders janë mes regjisorëve që do të garojnë për çmimin kryesor të festivalit të filmit në Kanë, ku një listë yjesh të Hollivudit do të parakalojnë në bulevardin e famshëm.
Në një konferencë për shtyp, ditën e enjte, regjisori i festivalit Thierry Fremaux njoftoi pretendentët për edicionin e 76 të eventit të famshëm kinematografik, i cili do të mbahet nga 16 deri më 27 maj.
19 filma do të garojnë për çmimin e lakmuar të Palmës së Artë, 6 prej të cilëve kanë regjisore gra.
Ken Loach rikthehet në festival me “The Old Oak”, një film mbi refugjatët sirianë që mbërrijnë në një fshat me miniera në Britaninë e Madhe, ndërsa Wes Anderson garon me “Asteroid City”, që do të sjellë në ekran një kast yjesh; si Tom Hanks, Scarlet Johanson dhe Margot Robbie.
Të tjerë filma në garë janë ai i Tod Haynes “May December”, me aktoret fituese të çmimit Oskar, Natali Portman dhe Julianne Moore, e po ashtu “Il Sol Dell Avenire”, i italianit Nani Moreti.
Martin Scorceze prezantohet me “Killers of the Flower Moon”, ku interpretojnë bashkëpunëtorë të vjetër të tij, si Leonardo Di Caprio dhe Robert De Niro.
Aventurieri Indiana Xhones do të rikthehet gjithashtu në festival pas 15 vitesh, që prej shfaqjes së fundit në Kanë. Harrison Ford do të rimarrë rolin më të famshëm të tij në "Indiana Jones and the Dial of Destiny", që do të ketë në Francë premierën botërore. (A2 Televizion)