Feston 33-vjetorin, por Lionel Messi është legjendë

Nga A2 CNN
24 Qershor 2020, 15:55 | Futboll

Tridhjetë e tre vjeç dhe me entuziazmin e një djaloshi që sapo ka nisur karrierën. Lionel Messi, i lindur më 24 qershor 1987, e kaloi ditëlindjen ashtu siç është mësuar gjithmonë, si kryesues në La Liga dhe me kurorën e lojtarit më të mirë në botë.

I lindur në Rosario të Argjentinës, djaloshi që kishte probleme me hormonet e rritjes befasoi Barcelonën. Klubi katalan i ofroi menjëherë kontratë, duke përfshirë edhe të gjitha kostot e trajtimit shëndetësor.

Kështu nisi historia e vogëlushit që dhuronte magji me topin. Leo i ngjiti shumë shpejt shkallët në hierarkinë e klubit dhe në tetor të vitit 2004, debutoi me ekipin e parë, në derbin kundër Espanyol.

Në moshën 17 vjeç e tre muaj e 22 ditë, u bë në atë kohë lojtari më i ri që luante me katalanasit në një ndeshje zyrtare. Rekordi i radhës u vendos më 1 maj 2005, duke shënuar golin e parë ndaj Albacetes, pas asistit të Ronaldinho-s dhe u shndërrua në golashënuesin më të ri të klubit.

Një datë historike, edhe sepse pak vite më pas, një legjendë si Ronaldinho pohoi se në atë moment e kuptoi që kishte ardhur koha t’i linte stafetën.

Vendimtar në rritjen e Lionel Messit ishte takimi me Pep Guardiolën. Një trajner që e spostoi si “falso nueve”, ndërsa stili tiki-taka i përshtatej në mënyrën më të mirë lojës së talentit. Prej aty, rekordet vijuan me trofetë e fituar në Spanjë dhe në Champions, rekordi me 91 gola sezonalë të shënuar me klubin dhe përfaqësuesen në vitin 2012, por edhe rekordi historik i golave të shënuar në La Liga-n spanjolle.

Në karrierën e Messi-t çalon vetëm përfaqësuesja, ku nuk ka fituar trofe madhor me Argjentinën dhe ku krahasimet me Maradonën vijojnë ta mundojnë.

E megjithatë, Leo fitoi Topin e Artë për herë të gjashtën, ndërsa në 2019-ën, titullin e dhjetë kampion të Spanjës dhe vendosi një rekord të ri, me triumfin e gjashtë të Këpucës së Artë për goleadorët evropianë. 10-ta argjentinase është poezia e futbollit, një lojtar të cilin bota do të ketë fatin ta admirojë në fushë edhe për pak vite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos