Fillon protesta, firmoset peticioni, Budina: Rindërtimi i Teatrit, rikthim i qytetarisë

Nga A2 CNN
20 Maj 2020, 18:22 | Aktualitet
Fillon protesta, firmoset peticioni, Budina: Rindërtimi i Teatrit, rikthim

Ndërkohë që protesta e sotme e mbështetësve të Aleancës për Teatrin, që protestojnë për shembjen e Teatrit Kombëtar të ditës së diel, kanë filluar hapat e mëtejshme të organizatorëve, si peticioni për rindërtimin e godinës ekzistuese, tashmë gërmadhë.   

Robert Budina sqaron për A2 edhe motivacionet. “Peticionin e kemi filluar që para 2 vjetësh për mbrojtjen e Teatrit, e rifilluam edhe 2 muaj më parë ku kemi marrë 5 mijë firma edhe në kushtet e kufizimeve nga pandemia. Duhet t’i kundërvihemi praktikës së kryeministrit që mendon se është bajraktar dhe këto janë pronat e tij, ndërkohë që janë të popullit dhe trashëgimisë”, thotë regjisori, që shton se “do kërkojmë mbështetje masive të njerëzve për të rindërtuar Teatrin sipas planit të vitit 1938, e kemi ndërtuar në 3D , do ta përshtatim në ambientet e brendshme sipas kërkesave të kohës”.

Po kush është arsyeja kryesore e një rindërtimi të tillë? “Kryeministri shembi Teatrin për t’i thënë popullit që ju nuk do të ndërtoni kurrë qytetari, por në qoftë se ne i kthejmë tempullin qytetarit, do të kemi të drejtën të kërkojmë edhe shumë më tepër më vonë. Kultura është susta që do të zhvillojë vendin”, thotë regjisori që prej dy vitesh lufton për këtë çështje.

Budina shton edhe që faktori ndërkombëtar po ndërgjegjësohet, “po ndërron mendje me shpejtësi skëterrë. Kam pasur kontakte me media të mëdha franceze, britanike, amerikane. Janë të lemerisur, edhe ata që kanë mbështetur dikur Ramën. Shqiptarët duhet të kenë besim se gjithë energjia që kane shpenzuar nuk do të shkojë dëm”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos