
Problemet financiare, administrative dhe gjyqet e humbura në FIFA. Futbolli në Shqipëri është në krizë, edhe pse në fillim të edicionit, Federata e Futbollit prezantoi manualin e licencimit.
Kushte më të forta për pjesëmarrjen në kampionat, ku ekipet e Superiores duhej të licencoheshin si ekipe që mund të luanin në Europë. Në vend të përmirësohej, situata është bërë më problematike.
Flamurtari dhe Luftëtari ia dolën të luanin mes më të mirave në këtë sezon, por dënimet nga FIFA për pagesat e prapambetura, duket se i bëjnë dy skuadrat e para të përjashtuara.
“Dokumentacioni po përgatitet dhe duhet që deri në datën 31 mars, klubet ta paraqesin atë. Ekspertët do të shqyrtojnë dokumentacionet dhe më pas do të bëjnë raportet përkatëse”, u shpreh Eduart Gjini, shef i sektorit të licencimeve në FSHF.
Edhe pse rezervohet të japë detaje për situatat specifike, Gjini pohon krizën financiare të klubeve elitare, kur krahason problematikat që ekzistojnë në kategorinë e parë.
“Në Kategorinë e Para është problemi i infrastrukturës, me përjashtim të ndonjë skuadre, si për shembull Apollonia. Disa skuadra të tjera lënë për të dëshiruar”, tha Gjini. (A2 Televizion)