Finlanda ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm në “Euro 2020”, por që ka dalë krejtësisht në plan të dytë nga drama që shkaktoi episodi i Christian Eriksen.
Para se Eriksen të humbte ndjenjat në fushë, Danimarka dominoi ndeshjen, por nuk ishte e saktë përpara portës.
Pasi ndeshja rinisi, dominimi danez nuk ndryshoi, por rezultati nuk erdhi. Madje, në minutën e 60, pas një krosimi nga e majta të Uronen, Pohjanpalo mposhti me kokë portierin Schmeichel, i cili deri në atë moment nuk kishte pasur punë.
Në minutën e 73-të, gjërat mund të kishin ndryshuar për Finlandën: Arajuuri rrëzon Poulsen në zonë, arbitri Taylor nuk ka dyshime, është penallti. Por, nga pika e bardhë, Hojbjerg nuk arrin të mposhtë portierin Hradecky, i cili ishte heroi i vërtetë finlandez.
Gjithashtu, gardiani finlandez bëri edhe disa ndërhyrje të shkëlqyera për të ruajtur të paprekur rrjetën dhe për t’i dhënë 3 pikët ekipit të tij, që e sheh veten shumë pranë kualifikimit për në fazën tjetër. (A2 Televizion)
