Ismail Kadare është shkrimtar i dimensioneve ndërkombëtare, i përkthyer masivisht në 45 gjuhë të botës, çfarë i jep veprës së tij karakterin e pasaportës artistike për letërsinë moderne të Shqipërisë. Ismail Kadare është propozuar për çmimin Nobel në letërsi dhe është një nga autoritetet e padiskutueshme për shqiptarët kudo ku jetojnë. Prej më shumë se 25 vitesh, shkrimtari jeton dhe shkruan mes Tiranës dhe Parisit. Librat e Kadaresë gjatë sistemit të kaluar ishin referencë për ngjarje dhe histori dramatike, çka e vendoste atë në qendër të vëmendjes së publikut. Vendimi i shkrimtarit për t’u larguar përfundimisht nga Shqipëria në vjeshtën e vitit 1990, kur ende nuk ishte rrëzuar qeveria komuniste, mbetet një nga subjektet më domethënëse të gjysmë shekulli diktature komuniste. “Fjala është si bleta, ka edhe mjaltin, edhe thumbin”, është një shprehje e tij, me të cilën shkrimtari i madh u kujtua sot në “Dita jonë”. (A2 Televizion)
“Fjala është si bleta, ka edhe mjaltin, edhe thumbin”. Kadare feston ditëlindjen e 86-të
