"Fjongoja rozë", fushatë vjetore për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

Nga A2 CNN
3 Gusht 2023, 16:43 | Aktualitet
"Fjongoja rozë", fushatë vjetore për zbulimin e

Nuk mjafton vetëm tetori për ndërgjegjësimin dhe kontrollin për kancerin e gjirit. “Fjongoja rozë”, simbol i luftës ndaj kësaj sëmundje duhet të jetë fushatë vjetore. Mesazhi vjen nga një grua 47 vjeçare e cila verën e një viti më parë zbuloi se ishte prekur nga ky kancer. 

“Kisha pesë vite që nuk kisha bërë mamografi dhe eko gjiri. Para një viti, më 20 korrik, kur futem në dush vë re dy gjëndra në krahun e djathtë. Të nesërmen kur shkova për vizitë mjekja më tha se kisha dy gjëndra më strukturë të çrregullt dhe më përbërje venash gjaku. Duhej doemos biopsia.” 

Për Mirela Jellën nisi një rrugë e gjatë trajtimi dhe terapie kundër kancerit të gjirit. Ndërhyrjen dhe tani terapitë i kryen në spitalin onkologjik në QSUT. Kurimi në privat pavarësisht mbështetjes së të afërme do të ishte papërballueshëm për të.

“Terapia ime shkonte 70 mije euro në privat. Falënderoj Zotin dhe miqtë e mi sepse edhe shtëpinë po të shisja nuk e bëja dot. Por unë të gjitha trajtimet i kam bërë në shtet”.

Sot Mirela ka fituar ndaj sëmundjes edhe për faktin se kanceri nuk ishte në stade të avancuara, ndërsa zgjedh të flasë jo vetëm për veten, por për të gjitha gratë dhe nënat shqiptare. 

“Ne jemi shumë të përgjegjshme për familjen,  por jo të përgjegjshme për veten dhe trupin tonë. Një herë në vit duhet të bëjmë një eko gjiri dhe eko gjinekologjike. Sa më shpejt të kapen aq më mirë është”, thotë ajo.

Në Shqipëri kanceri i gjirit është sëmundja më e përhapur tek gratë. 800-900 raste diagnostikohen çdo vit me këtë sëmundje. Mjekët onkologë vënë theksin tek kontrollet periodike. Zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje të shpëton jetën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos