Zmbrapset furia e flakëve drejt Llogarasë, Major Hidri: Neutralizuam një vatër të rrezikshme

Nga A2 CNN
5 Gusht 2021, 08:03 | Aktualitet
Zmbrapset furia e flakëve drejt Llogarasë, Major Hidri: Neutralizuam

Është përmirësuar situata nga zjarri në Parkun Kombëtar të Llogarasë. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook, mbrëmjen e djeshme.

“Zmbrapset furia e flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë, e tani sapo është bërë rifreskimi i trupave që do të vijojnë gjatë gjithë natës me mbajtjen nën kontroll të situatës”, shkruan Rama.

Në videon e publikuar nga Rama shfaqet zëvendëskomandanti i Forcave Komando të Shqipërisë, major Pëllumb Hidri, i cili tregon se është parandaluar një vatër shumë e rrezikshme zjarri.

“Jemi në lartësinë 1350 metra. Siç shikohet sapo kemi ndaluar zjarrin. Ishte një vatër shumë e rrezikshme. Në krahun e djathtë do të hynte në pyllin e Llogarasë dhe do të ishte e pamundur për t’u kontrolluar. Në krahun e majtë është Llogaraja, ku falë ushtarëve është neutralizuar një vatër shumë e madhe në anën e Dukatit. Na ndihmuan dhe helikopterët me ujë nga sipër. Nëse do të vijojmë me këto ritme, do e sigurojmë totalisht Llogaranë. Kishte shumë tym, falë këmbënguljes sonë arritëm ta ndalojmë”, shprehet Hidri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos