“Evropa duhet ta mbajë barrën e emigrantëve në shpatullat e veta”. Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, i përgjigjet në këtë mënyrë shqetësimeve në rritje për emigrantët që po vërshojnë drejt Greqisë, pasi Turqia vendosi të hapë kufijtë e saj.
“Që kur hapëm kufijtë, numri i personave që dynden drejt Evropës ka arritur në qindra mijëra. Së shpejti, ky numër do të arrijë në miliona”, tha Erdogan.
Mbi bazën e një marrëveshje, prej 6 miliardë eurosh, në vitin 2016-të, Turqia vendosi të pengojë kalimin e refugjatëve sirianë drejt Europës, duke strehuar rreth 3,6 milionë të tillë në territorin e saj.
Pas vrasjes së 33 ushtarëve turq në Siri, javën e kaluar, Erdogan vendosi të hap dyert. Në kufirin me Greqinë situata është alarmante dhe përballë mijëra emigrantëve që po vijnë çdo ditë, autoritetet njoftuan se nuk do të pranojnë kërkesa për azil për një muaj.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha, në “Twitter”, se Greqia do t’i mbrojë kufijtë e jashtëm të BE-së dhe se çdo emigrant që do të përpiqet të hyjë do të kthehet mbrapsht. Ekspertë të çështjes mendojnë se pezullimi i kërkesave për azil përfaqëson një shkelje të ligjit evropian të azilit dhe ligjit humanitar ndërkombëtar.
Ushtria dhe patrulla policie po ruajnë kufijtë tokësorë me Turqinë dhe gaz lotsjellës e granata tymuese po hidhen për të penguar fluksin e madh të të ardhurve. Emigrantët u përgjigjën me gurë dhe objekte të tjera dhe një polic mbeti i plagosur. Autoritetet greke thanë se 10 mijë persona ishin përpjekur të hynin të shtunën dhe 5500 të tjerë të dielën. (A2 Televizion)