
Ndërrimi i viteve ka sjellë dhe emigrantë shqiptarë të cilët natën e Vitit të Ri do ta kalojnë pranë familjeve të tyre në Vlorë.
Fluksi i ardhjes së emigrantëve është shtuar prej disa ditësh në Portin e Vlorës, madje në krahasim me dy vitet e fundit, ardhjet janë dyfishuar.
Edhe pse situata nga pandemia në shtetin fqinjë nuk është e mirë, emigrantët shprehen se kanë mall për familjarët e tyre, ka dhe nga ata që kanë më shumë se dy vite që nuk kanë qenë në Shqipëri për shkak të pandemisë.
Shefi i përpunimit në portin e Vlorës, Festim Skëndaj, shprehet se, duke bërë një krahasim me një vit, fluksi i hyrjes është dyfishuar, por vite me parë kur pandemia nuk njihej fluksi i hyrjes arrinte në 20 mijë.
Vetëm gjatë ditës së enjte, nga Porti i Vlorës kanë hyrë rreth 320 persona, ndërsa lëvizjet do të vijojnë deri në datë 31 dhjetor. (A2 Televizion)