FMN për ekonominë shqiptare, borxhi publik mund të arrijë në 88% të PBB

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2020, 10:23 | Ekonomi
FMN për ekonominë shqiptare, borxhi publik mund të arrijë

Shqipëria vijon të jetë e prekur rëndë nga pasojat e tërmetit dhe pandemia e Covid-19, por rreziqet që i kanosen ekonomisë janë sot më të mëdha. Ky është qëndrimi që shpreh Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e parë monitorues, pas kredisë prej 174 milionë euro të kërkuar nga Shqipëria në muajin prill.

Dobësia kryesore në sytë e FMN janë financat publike: ristrukturimi i borxhit, kursi i këmbimit dhe huamarrja pa limit në valutë të huaj. Një faktor tjetër që merret në konsideratë është rëndimi i situatës së pandemisë në vend.

Megjithatë, rreziku më i madh qëndron në vitin e ardhshëm, kur buxheti parashikon një deficit prej 6.5% të PBB-së, ndikuar kryesisht nga fondi i rindërtimit. Për këtë arsye, Fondi bën sërish apel për ristrukturimin e sistemit tatimor, për ta bërë atë më transparent, më të thjeshtë dhe të mund të sjellë më shumë të ardhura.

FMN ndërkohë ka ashpërsuar tonet ndaj rreziqeve që sjellin nismat e qeverisë si kontratat PPP, Korporata Shqiptare e Investimeve dhe skemat e garancisë sovrane.

Pa bërë kujdes në këto faktorë, FMN parashikon në skenarin negativ që borxhi publik të arrijë në 88%, në vitin 2022. Një skenar që do të kërkonte masa ekstreme si rritja e menjëhershme e taksave dhe shkurtimi i ndjeshëm i shpenzimeve publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos