
Agron Haxhmali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, i ftuar në A2 Business Week, ku u diskutua për rindërtimin nga tërmeti i një viti më parë, e ndau këtë proces në 4 grupe, duke theksuar se nuk është bërë asgjë për ato familje shtëpitë e të cilave janë dëmtuar rëndë ose janë shembur.
“Ka qenë një volum i madh pune. Bashkitë kanë bërë një punë pa mbështetje financiare nga qeveria. Vetëm me administratën e tyre e kanë bërë mirë këtë punë. Unë kam një vlerësim tjetër nga vëzhgimet e mia. Unë e kam ndarë në 4 grupe procesin e rindërtimit. Procesi i parë është bonusi i qirasë, i cili është vlerësuar relativisht mirë. Pjesa e dytë janë bonuset për DS1, DS2, DS3 dhe kjo është e konsideruar relativisht mirë. Ndërkohë, është shumë keq DS4 dhe nuk është bërë asgjë me DS5, për ata banorë që u është dëmtuar rëndë shtëpia e tyre dhe për atë kategori që shtëpia duhet të ribëhet nga fillimi. Këto dy kategori janë shumë problematike dhe nuk duhet të harrojmë se bëhet fjalë për një numër të madh popullsie. Unë e kam parë shumë burokratike. Ka pasur një qasje aspak të barabartë. Është thyer ai parimi i përfshirjes së drejtë dhe i barabartë dhe i përfitimit të njëjta nga të gjithë banorët”.
Më tej, Haxhimali theksoi se ka shumë qytetarë që janë të pakënaqur me procesin e vlerësimit. “Në të gjithë bashkitë e Shqipërisë, çdo ditë ka qytetarë që kërkojnë të bëjnë aplikime, duke e kontestuar procesin e vlerësimit dhe të rivlerësimit të pronave”, tha Haxhimali.
Ndërkohë, Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, reagoi duke thënë se qytetarët kanë pasur kohën për të aplikuar, si dhe mundësinë për të ankimuar nëse nuk kanë mbetur të kënaqur me shqyrtimin e dosjes.
“Njerëzit kanë pasur kohë nga janari deri në mars për të aplikuar. Ne i kemi shkuar në shtëpi këtyre banorëve dhe kjo kishte një afat, më pas, kur dosja merret në shqyrtim dhe ai shpallet jo fitues, ky person mund të aplikojë për vendimin që është marrë për të. Personi ka të drejtë në një fazë të tretë të ankimojë në gjykatë vlerësimin e komisionit të aplikimeve. (A2 Televizion)