
Kursi i lirë i këmbimit është i dobishëm për ekonominë, por Banka e Shqipërisë duhet të rrisë monitorimin ndaj rreziqeve që nënçmimi i valutave të huaja mund të sjellë. Ishte ky sinjali miks, kombinim i një gjetjeje me një paralajmërim që kryesuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Anke Weber i përcolli guvernatorit Sejko.
“Në atë çfarë FMN reagon dhe rekomandon ka lidhje me buxhetin e shtetit dhe financat publike. Në fakt finanacat publike nuk janë të rrezikuara, por ekonomia po. Kjo pasi shumë kategori si eksportuesit, turistët dhe ata që presin remitanca po goditen. Pra parë nga këndvështrimi i FMN-së nuk jemi në pozita të vështira, por parë nga ardhmëria dhe rreziku i rënies më tej në ekonomi informale, ky po është rreziku.”
Eduart Gjokutaj, ekspert fiskal
Shefja e Misionit të FMN-së e vlerësoi si të frytshëm për ekonominë shqiptare kursin e lirë të këmbimit.
Weber theksoi se ndërhyrja në tregun valutor duhet të bëhet vetëm në kushte të jashtëzakonshme, duke rrëzuar në një mënyrë kërkesat e eksportuesve për të kaluar te kursi i fiksuar i këmbimit.
“Mendoj se kursi i këmbimit i fiksuar në Shqipëri nuk është një gjë e mundshme. Kjo pasi do duhet të ndryshonte e gjithë struktura ekonomike e mbi 30 viteve. Kursi i lirë është në rregull, por nuk duhen lejuar spekulimet dhe pastrimi i parave.”
Eduart Gjokutaj, ekspert fiskal
Në një kohë që eksportuesit, sipërmarrjet në fushën e turizmit dhe familjet që marrin para nga të afërmit në emigrim po humbasin nga rënia e euros, ka aktorë të ekonomisë që po dalin të fituar nga mbiçmimi i lekut.
Çmimet e mallrave të importit po bëhen më të lira ndërsa qeveria po lehtësohet nga barra e borxhit të jashtëm, pjesa dërrmuese e të cilit është në euro. (A2 Televizion)