Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ushtruar kontroll në një mjet tip fuoristradë që ishte parkuar pranë shtabit të Partisë Demokratike në Elbasan. Veprimi ka ngjallur reagimin e drejtuesit të fushatës së PD në këtë qytet, Gazment Bardhi, i cili ka debatuar me efektivët e FNSH, duke u kërkuar procesverbal mbi atë që kanë gjetur në makinë.
“Më jep procesverbalin për atë që gjete në makinën që kontrollove. Ju kanë rreshtuar bandat”, u tha Bardhi efektivëve. 2 furgona të FNSH po lëvizin gjatë gjithë ditës në Elbasan, ndërsa policia vendore ka vijuar kontrollin e mjeteve që mbajnë logo të partive politike.
2 ditë më parë, në Elbasan ndodhi edhe një përplasje e armatosur për shkaqe politike, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe 4 persona të tjerë u plagosën, mes tyre edhe një efektive policie. PD pretendonte se makina me simpatizantë të Partisë Socialiste po jepte para në këmbim të votës dhe për këtë ishte ndaluar nga Struktura për Mbrojtjen e Votës, një grup i përbërë nga ish-efektivë policie dhe të ushtrisë. (A2 Televizion)