
Dy ditë para se Sali Berisha të mbledhë të rinjtë demokratë në një Foltore të posaçme në Tiranë, Lulzim Basha urdhëroi hapjen e garës për riorganizimin dhe zgjedhjet në Forumin Rinor të Partisë Demokratike.
Një njoftim i zyrës së shtypit thekson se “mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën”.
Për zgjedhjet në FRPD, Basha ka urdhëruar edhe ngritjen e një grupi pune që do të ndjekë procesin, i cili përfundon me zgjedhjen e kryetarit përmes formulës 1 anëtar 1 votë.
Njoftimi i PD kujdeset të nënvizojë se kryetarit aktual, Belind Këlliçit, i ka mbaruar mandati në vitin 2019. Tashmë i zgjedhur deputet, Këlliçi është mes atyre që nuk kanë dalë publikisht në krah të Bashës, në përplasjen mes kryetarit dhe liderit historik Berisha.
Ditët e fundit Belind Këlliçi është përfolur se mund të mbështesë Sali Berishën duke marrë pjesë në Foltoren e të dielës me të rinjtë demokratë. (A2 Televizion)