
Kundërshtarët e kryeministrit Benjamin Netanjahu deklarojnë se arritën marrëveshjen për krijimin e koalicionit që do të formojë qeverinë e re në Izrael.
Deklarata e liderit të opozitës, Yair Lapid, dhe aleatit të tij kryesore në koalicion, Naftali Bennet, erdhi pak momente përpara mesnatës, kur përfundonte dhe afati në dispozicion për të arritur marrëveshjen.
Në këtë mënyrë, në Izrael u shmangën zgjedhjet e reja të cilat do të ishin të pestat brenda dy vitesh.
“Informova presidentin Reuven Rivlin që ia dolëm të krijojmë qeverinë e re”, shkroi në Twitter, Yair Lapid, lideri i partisë së qendrës Yesh Atid. “Kjo qeveri do të punojë për të gjithë qytetarët e Izraelit, për ata që votuan dhe ata që jo”, shtoi ai.
Më tej, Lapid informoi presidentin Rivlin që pjesë e koalicionit qeverisës do të jetë Partia Blu e Bardhë e Benny Gantz, Yamina e Naftali Bennet, Izaeli shtëpia jonë e Avigdor Lieberman. “Shpresa e re” e Giedeon Saar, Laburistët dhe ajo që bie në sy është partia arabo-islamike Raam.
Sipas marrëveshjes, Naftali Bennett do të jetë kryeministër dy vitet e para, ndërsa më pas detyra i kalon Lapid.
Me këtë marrëveshje për të krijuar qeverinë e re merr fund dhe epoka e Netanjahu i cili qëndroi në pushtet për 12 vjet me radhë. (A2 Televizion)