Brenda “Luginës së Paqes” - varreza më e madhe në botë, ku prehen 6 milionë trupa

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2023, 20:24 | Fotolajme

Varreza më e madhe në botë, Wadi Al-Salam në Najaf të Irakut është “shtëpia e fundit” ku prehen më shumë se 6 milionë trupa, të grumbulluar të gjithë në një vend varrimi të lashtë.

Varrezat vizitohen nga miliona pelegrinë çdo vit dhe përmbajnë eshtrat e profetëve, mbretërve dhe shkencëtarëve.

Kur shihen nga sipër, peizazhet e Al-Salam mund të ngatërrohen me një qytet, me varre të panumërta që duken si ndërtesa të ngushta.

Varrezat zënë 13% të madhësisë së Najafit dhe madhësia e tyre i përngjan realisht një qyteti të vogël që përfshin mbi 1500 hektarë tokë.

Me më shumë se gjashtë milionë trupa në të, varreza është më e madhe për nga popullsia nëse e krahason me disa vende si Norvegjia, Finlanda apo Danimarka.

Emri Wadi Al-Salam përkthehet "Lugina e Paqes", por historia e rajonit nuk ka qenë aspak paqësore, pasi numri i atyre që prehen në këtë varrezë sa vjen e rritet për shkak se Iraku vazhdon të mbetet epiqendra e përplasjeve ushtarake.

Në kulmin e Luftës në Irak, u raportua se rreth 250 trupa varroseshin aty çdo ditë, ndërsa gurët e varreve dhe mauzoleumet e ngushta, si dhe rrjeti i gjerë i katakombeve nëntokësore e bënë atë vendin e përsosur për t'u fshehur kryengritësit.

Gjatë konfliktit të vitit 2004 midis ushtrisë amerikane dhe forcave të Ushtrisë Mahdi, varrezat ishin një shesh betejë për përleshje të armatosura. Shumë varre u dëmtuan asokohe nga zjarri, të shtënat me armë dhe sulmet me raketa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos