
Në Francë, më e keqja, e valës së dytë të pandemisë së koronavirusit, ka kaluar. Këtë e tha presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një fjalimi të shumëpritur televiziv, ku njofoi zbutje të kufizimeve që nga kjo fundjavë.
Prej disa javësh, vendi është në izolim mbarëkombëtar, por Macron tha se do të lejonin rihapjen e dyqaneve për Krishtlindje dhe se qytetarët do të mund t’i kalonin festat me të afërmit e tyre. Megjithatë, kreu i Elizesë tha se restorantet, kafenetë dhe baret do të qëndrojnë të mbyllura, deri më 20 janar, për të shmangur një valë të tretë infektimesh.
Nga e shtuna, do të ketë shumë ndryshime. Pikë së pari, shëtitjet dhe aktivitetet në ambient të hapur do te jenë të lejueshme në një rreze prej 20 km nga shtëpia. Do të lejohen grumbullimet deri në 30 persona. Dyqanet dhe shërbime të tjera do të rihapen të paktën deri në 9 të mbrëmjes, duke respektuar masa strikte anti-covid. E njëjta gjë vlen për libraritë, dyqanet muzikore dhe bibliotekat.
Franca është në izolim që prej 30 tetorit, edhe pse ai ishte më i zbutur sesa izolimi gjatë muajve të pranverës. Trendi pozitiv i rënies së infektimeve ditore dhe shtrimeve në spital, shoqëruar me trysnin e lobit të biznesit për të shmangur një katastrofë ekonomike, detyruan qeverinë të niste me lehtësimin e masave sa më shpejt.
Macron njoftoi gjithashtu se nga fundi i dhjetorit ose fillimi janarit do të niste fushata e vaksinimit, duke filluar me të moshuarit e grupe të tjera të rrezikuara. Ai tha se vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm. (A2 Televizion)