
Katër fëmijët e dukës së Edinburgut dhe dy nipat e tij, princat Harry dhe William, do të shoqërojnë arkivolin e tij gjatë procesionit që do të mbahet para ceremonisë mortore, në kapelën e Saint George të Windsor, ditën e shtunë.
Ata do të ecin pas Land Roverit të modifikuar posaçërisht, ku me kërkesë të vetë princit Philip do të vendoset arkivoli i tij.
Lista me 30 të ftuar, aq sa e lejojnë masat kundër koronavirusit, do të përfshijnë vetëm familjarë dhe të afërt të ngushtë, mes të cilëve edhe 3 kushërinj gjermanë të bashkëshortit të Elizabetës. Pjesëmarrësit do të mbajnë veshje zie me medalje, por jo uniforma ushtarake siç është tradita mbretërore.
Kjo zgjedhje diktohet nga tërheqja e dy pjesëtarëve të familjes, princit Andrew dhe Harry nga funksionet mbretërore, çka i pengon të mbajnë uniforma. Pjesëmarrësit do të mbajnë maska dhe do të respektojnë distancimin social, me mbretëreshën që do të ulet e vetme.
Një zëdhënës i pallatit tha se planet ishin modifikuar në varësi të rregullave anti-covid, por se aspekti ceremonial i shërbesave do të mbetej në një linjë me dëshirat e dukës. Siç thuhet, ceremonia do të reflektojë lidhjen e Philip me ushtrinë dhe do te ketë elemente personale të jetës së tij.
Gjatë procesionit nga kapela private e Windsor drejt asaj të Saint George, princat William dhe Harry do të jenë në një rresht, por do të ndahen nga kushëriri i tyre Peter Philip. (A2 Televizion)