
Londra është zgjuar këtë të shtunë nën masa të rrepta sigurie, përpara funeralit mbretëror të princit Filip, të ndarë nga jeta javën e shkuar në moshën 99 vjecare.
E ndërsa pallati mbretëror ka publikuar protokollin që duhet ndjekur për funeralin e bashkëshortit të mbretëreshës, për shkak të masave anti-covid, policia ka bërë të ditur planin e sigurisë, në mënyrë që funeral shtetëror të mbahen sa më qetë dhe pa incidente, me qindra oficerë të dislokuar përqark pallatit mbretëror dhe kështjellës Uindsor.
Një pjesë e policisë së Scotland Yard do të jetë e armatosur e një pjesë jo por ata do të patrullojnë në kryeqytet, për të siguruar një parakalim të qetë e të sigurtë të familjes mbretërore gjatë funeralit. Mbretëresha do ti japë sot lamtumirën bashkëshortit dhe krahut të saj të djathtë prej 73 vitesh, në ceremoninë që do të mbahet larg syrit të publikut, brenda mureve të Kështjellës Uindsor. Nuk do të ketë asnjë akses për publikun ndërsa të pranishëm do të jenë vetëm 30 persona, familjarë dhe të afërm të ngushtë të mbretëreshës dhe princit të ndjerë.
Mbretëresha është menduar për thuajse 5 ditë për të reduktuar listën me 800 persona, të afërm të familjes mbretërore, që në kushte normale dhe pa pandemi, do të merrnin pjesë në funeral. Në orën 15.00 me orën lokale, mbarë vendi do të mbajë një minutë heshtje, në nder të bashkëshortit të ndjerë të mbretëreshës Elizabeta e II. (A2 Televizion)