Futbollistin e thërret natyra, Mou i bën presion te dera e tualetit

Nga A2 CNN
30 Shtator 2020, 08:50 | Futboll

Në minutën e 77 të ndeshjes Tottenham-Chelsea, Jose Mourinho u pa që të shkonte me vrap drejt tunelit të dhomave të zhveshjes. Fillimisht, nuk u kuptua arsyeja, por kamerat e reja të vendosura në brendësi të stadiumeve të Premier League zbuluan gjithçka.

Pasi Mourinho hyri me nxitim brenda, u pa Dier teksa vraponte për të dalë në fushën e lojës. Anglezit iu desh të shkonte në tualet në mes të ndeshjes dhe e la skuadrën me 10 lojtarë. Trajneri portugez nuk duroi dot më dhe shkoi ta kërkonte lojtarin e tij, i cili u kthye në fushë dhe në fund mori dhe çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes.

Në Instagram, vetë Dier postoi një foto të tualetit, duke shkruar se ishte WC-ja ajo që e meritonte çmimin.

“Natyra më thërriti, nuk mund të bëja dot asgjë. Dëgjova që kundërshtarët patën një rast të mirë, por fatmirësisht nuk shënuan”, tha Dier.

Edhe Mourinho e pranoi se futbollisti i tij nuk kishte faj: “Duhet të shkonte me patjetër në tualet, këtë e kuptoj. Por, edhe ai e kupton se unë duhet të shkoja t’i bëja pak presion që të nxitonte sepse ndeshja nuk kishte mbaruar. Problemi ishte që nuk po bënte vetëm urinën, e kuptoni vetë ju”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos