
Fushatën për zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha e ka vijuar me një takim në Korçë, ku ka paraqitur platformën e tij politike për rikthimin në pushtet.
Refreni ka qenë i ngjashëm me takimet e Tiranës, me Bashën që ka premtuar hapjen dhe rinovimin me figura dhe energji të reja të PD, për të sjellë ndryshimin.
“Detyra e Partisë Demokratike është të bëhet sa më shpejt gati për ndryshimin e madh që duan shqiptarët. Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, vitalizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike. Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, që besojnë te demokracia dhe një partneritet i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe”, është shprehur Basha.
Sipas ish-kryetarit që ka hyrë në garë për mandatin e 4-të në si kreu i selisë blu, duke u liruar nga hijet e së shkuarës, ai ka përgjegjësinë të japë një model te ri në politikbërjen e vendit.
“Me Aleancën Qytetare për Demokraci do çlirojmë ekonominë dhe do të çojmë përpara ndryshimet kushtetuese, që do të zhbëjnë marrëveshjen e 2008-ës, dhe do të mundësojmë listat e hapura, vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve, kufizimin e mandateteve”, ka thënë Basha.
Prezantimi i programit politik nga Basha:
Ne duhet të rrisim mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë. Për këtë arsye duhet të realizojmë ndryshimin e formulimit të Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit. Duhet të kërkojmë që numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti.
Ne duhet të heqim kontrollin politik të qeverisë nga punonjësit e administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë. Gjithashtu, zgjedhja e drejtpërdrejt e Presidentit nga populli si mbartës dhe balancues i tre pushteve, garantues i mbarëvajtjes së jetës politike dhe i zgjidhjes së krizave, deri në të drejtën për të shpërndarë parlamentin.
Projekti ynë politik, pjesë e së cilës është dhe Platforma e ndryshimeve të sistemit elektoral, është reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një model të ri politik. Bashkë kemi mundësinë ta ndryshojmë këtë realitet dhe të çlirojmë potencialin e jashtëzakoshëm që ka Shqipëria! (A2 Televizion)