
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar pasditen e së premtes padinë e “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Kuçovë. Kështu, nuk ka pavlefshmëri të zgjedhjeve në Kuçovë.
Kujtojmë se nga procesi i rinumërimit të 18 kutive për bashkinë Kuçovë më herët gjatë ditës së sotme nuk pati ndryshim të rezultatit. Nga procesi i rinumërimit, kandidatit socialist iu hoqën 9 vota, kurse Lefter Maliqit iu hoqën katër. Ndërsa, kandidatit të PD-së zyrtare iu hoqën dy vota.
Avokati i koalicionit “Bashke Fitojmë” i kërkoi Kolegjit Zgjedhor rihapjen e të gjitha kutive tjera të KZAZ Kuçovë, kërkesë kjo që u rrëzua.
Në seancën e kaluar, kandidati humbës në Kuçovë, Lefter Maliqi, pretendoi një sërë parregullsish në procesin zgjedhor të 14 majit në Kuçovë.
Sipas tij, 18 kutitë që u rinumëruan ishin jashtë këndit të shikimit të kamerës vëzhguese të KQZ në KZAZ-në e Kuçovës. (A2 Televizion)