Koronavirusi me shifra të larta të infektuarave dhe viktimave si në Shqipëri e Kosovë me sa duket nuk po i ndalon pushimet e qytetarëve të Kosovës në Shqipëri.
Bazuar në shifrat, kanë qenë të shumtë qytetarë të Kosovës, që kanë kaluar kufirin me destinacion bregdetin, mëngjesin e së shtunës. Numri i tyre deri në orën 10:00 arriti në 9816 persona dhe 3718 mjete.
Policia Kufitare në Morinë, ashtu si çdo fundjavë punoi me të gjitha kapacitetet dhe me procedura të përshpejtuara që udhëtarët mos të presin shumë në kufi. Vetëm javën e kaluar kanë hyre në Shqipëri 51 146 shtetas të Kosovës. Edhe pse jo zyrtare, burime të doganës kosovare bëjnë të ditur se rreth 1 milionë qytetarë të Kosovës pushuan në bregdetin shqiptarë gjatë muajit korrik.
Në 24 orët e fundit, Kosova raportoi 213 raste me koronavirus, duke e çuar në 6680 numrin total të të prekurve. Vendi regjistron deri tani 164 viktima nga Covid-19. (A2 Televizion)