
Babai i gazetarit disident Roman Protasevich beson se i biri është detyruar me forcë të pranojë fajin në videon e postuar së fundmi. Ndërsa i cilëson zhvillimet si një çmenduri, ai shpreson në ndihmën e ndërkombëtarëve për lirimin e 26-vjeçarit.
“Mendoj se ai është detyruar. Nuk janë fjalët e tij, nuk është mënyra e tij e të folurit. Po ta shihni duket shumë nervoz. Ka gjasë që hunda t’i jetë thyer pasi duket sikur i ka ndryshuar forma dhe ka shumë pudër në fytyrën e tij. Djali im nuk mund të pranojë se ka nxitur trazira, pasi ai nuk e ka bërë diçka të tillë. Ky është një akt hakmarrjeje i Lukashenkos, është një çmenduri totale. Besojmë se BE-ja do të jetë në gjendje t’i bëjë presion qeverisë aktuale për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë”, deklaroi Dzmitry Protasevich, babai i të arrestuarit.
26-vjeçari Roman Protasevich gjendej në një fluturim nga Greqia drejt Lituanisë, i cili u devijua drejt Minskut, me pretendimin e një kërcënimi për bombë. Shtetet perëndimore akuzuan Bjellorusinë për pengmarrje të avionit të Ryanair. Në orët e vona të së hënës, gazetari u shfaq në një video, ku duket se është i detyruar të rrëfejë krimet për të cilat i akuzon regjimi bjellorus, ndërsa thotë se është në gjendje të mirë shëndetësore. (A2 Televizion)