
Kutitë e zeza, që mund të hedhin dritë mbi vdekjen e Yevgeny Prigozhin, janë gjetur. Kështu njoftojnë autoritet në Rusi, bashkë me konfirmimin për 10 trupa të pajetë nga avioni ku supozohet se udhëtonin drejtuesit e grupit famëkeq Wagner.
“Tani po kryhen teste molekularo-gjenetike”, thonë hetuesit.
Avioni u rrëzua afër Moskës të mërkurën, duke nxitur spekulime se faji ishte i një bombe ose një rakete të lëshuar nga toka. Pretendimet se Kremlini dha një urdhër për të vrarë Prigozhin janë një “gënjeshtër e plotë”, tha më herët për BBC zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin.
Prigozhin - dikur besnik i Putinit - udhëhoqi një revoltë të armatosur të ndërprerë nga luftëtarët e tij mercenarë në qershor. Putin në atë kohë e përshkroi kryengritjen si “tradhti”, por më vonë u arrit një marrëveshje që mercenarët e Wagner ose të bashkoheshin me ushtrinë e rregullt të Rusisë ose të shkonin në Bjellorusi.
Megjithatë, në vazhdën e rebelimit, shumë vëzhgues e përshkruan Prigozhin, si një “njeri të vdekur që ecën”, duke argumentuar se presidenti rus nuk do ta falte kurrë thikën pas shpine të bosit të Wagner.
“E telefonova kur po negocionin gjatë marshimit të tij për në Moskë. Nuk ishim të afërt, por e njoha atë mirë dhe ai mua. Kur po flisnim, unë i thashë atij: ‘Zhenja, ose do i vrasësh njerëzit, ose do vdesësh për vete’. Në gjaknxehtësi, ai mu përgjigj: ‘Në djall kjo punë, le të vdes’. Në rregull i thashë, po të dërgoj një litar dhe një sapun. ‘Jo, jo’ mu përgjigj duke më thënë se dëshiron një vdekje si hero.”
Alexander Lukashenko – President i Bjellorusisë
Ish-miku i Prigozhin, Vladimir Putin, qëndroi në heshtje për mbi 24 orë, përpara se të shprehte ngushëllimet e tij, por me qortimin se kreu i Wagner bëri gabime të rënda kohëve të fundit.
Aktualisht ka shumë paqartësi për fatin e grupit mercenarë, ndërsa shumë analistë besojnë se Wagner i ka orët e numëruara përpara shkrirjes totale. Sërish ka ndërhyrë Kremlini duke kërkuar besnikëri nga luftëtarët.
Nuk dihet ende se kush e ka aktualisht drejtimin e grupit, apo nëse do të vendoset një lider me përcaktim nga Putin. (A2 Televizion)