Gjendja e fatkeqësisë natyrore, Komisioni i Ligjeve miraton zgjatjen dymujore

Nga A2 CNN
21 Prill 2020, 13:44 | Politikë
Gjendja e fatkeqësisë natyrore, Komisioni i Ligjeve miraton zgjatjen

Me vetëm dy vota abstenim dhe asnjë kundër, Komisioni i Ligjeve miratoi kërkesën e Qeverisë për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor. Arsyet e ekzekutivit i përcolli ministri i Shtetit, Arben Ahmetaj.

“Mendojmë që shtyrja do të na ndihmojë ne, por edhe Parlamentin, që të kemi mundësi të kontrollojmë, të frenojmë dhe pastaj të fusim në kurbë ulëse përhapjen e infeksionit”, tha Ahmetaj.

Rezerva për kohëzgjatjen e kësaj shtyrje shfaqi Andi Përmeti, i Bindjes Demokratike, i cili kërkoi arsye specifike përse duhet ta mbështesë Parlamenti këtë nismë. Përgjigja e relatorit Adnor Shameti nuk e bindi kolegun e tij të opozitës, gjë që detyroi kryetarin e Komisionit Ulsi Manja, të guxonte një shpjegim shkencor, siç e quajti ai.

Në votimin final abstenuan deputetët opozitarë Andi Përmeti dhe Alban Zeneli, ndërsa të tjerët votuan pro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos