Gjermania optimiste, negociatat e BE me Tiranën dhe Shkupin hapen brenda vitit

Nga A2 CNN
8 Qershor 2021, 17:05 | Aktualitet
Gjermania optimiste, negociatat e BE me Tiranën dhe Shkupin hapen brenda

Dera e Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk hapet dot gjatë Presidencës portugeze. As në samitin e qershorit nuk do të ketë hapje negociatash.

Konfirmimi vjen nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, në Berlin pas konferencës virtuale të ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në kuadër të procesit të Berlinit. Megjithatë, ka shpresa të mëdha që konferenca e parë ndërqeveritare e Brukselit me Tiranën dhe Shkupin të mbahen brenda këtij viti.

“Jemi në kontakt të ngushtë me Slloveninë dhe Portugalinë, në kuadër të presidencës treshe të Këshillit të BE-së, por edhe me Komisionin e BE-së, në mënyrë që të krijojmë premisat që me çdo kusht të mbahen konferencat e para ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë jam optimist se këtë do ta realizojmë, edhe pse është e vështirë dhe po zgjat më shumë se ç'duam”, tha Heiko Maas, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Përpjekjet e Portugalisë për ta kaluar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në planin dypalësh, e konsideroi një gurthemel të mirë për të mundësuar përparimin në fushën e integrimit në BE.

Maas përmendi ndihmën që i ka dhënë Brukseli vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë pandemisë, ndërsa tha se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë edhe përpjekjet e rajonit për reforma në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Konferenca u mbajt si parapërgatitje për samitin e fundit të liderëve të Ballkanit Perëndimor më 5 korrik nën drejtimin e kancelares gjermane, Angela Merkel. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos