Gjiknuri: PS ka nevojë të konsolidohet nga pikëpamja administrative dhe politikëbërëse

Nga A2 CNN
9 Janar 2023, 21:07 | Politikë
Gjiknuri: PS ka nevojë të konsolidohet nga pikëpamja

Partia Socialiste ka nevojë të konsolidohet nga pikëpamja administrative dhe politikëbërëse. Këtë pret sekretari i përgjithshëm Damian Gjiknuri nga kjo forcë politike. Në studion e Debatit në A2 CNN, ai tha se aftësinë për vetëkorrigjim PS e ka treguar tashmë. Sipas tij nën drejtimin e Edi Ramës, PS ka krijuar pritshmëri te gjeneratat, pavarësisht emigracionit në rritje të të rinjve.

“PS pavarësisht kërcënimit të dobët nga opozita ka patur aftësi për vetëkorrigjim brenda saj, kjo edhe për arsye të lidershipit të zotit Rama. Drejtimi i Ramës ka rifreskuar drejtimin PS duke krijuar pritshmëri te shumë gjeneratat dhe atë që janë jashtë PS si marrja e posteve qeveritare dhe freskimi i strukturave partiake, ka qenë një qasje nga lart poshtë që funksionon edhe kur nuk ka presion nga opozita. Aftësia për vetëkorrigjim duke lexuar situatën, duke pasur domosdoshmërinë për ndryshim njerëzish dhe imazhi, dhe ajo që pres unë nga qeverisja e PS, është të konsolidohet nga pikëpamja administrative dhe politikëbërëse, që shumë nga këto plane të rëndësishme të bëhen realitet shumë shpejt”.

https://youtu.be/JEyRZFr2-1s

Gjiknuri thekson se PS e ka bërë vendin të jetueshëm edhe pse fenomeni i largimit të të rinjve është në shifra alarmante. Ai thekson se ka ardhur koha që të stimulohen të rinjtë dhe të rriten pagat në vend.

“Por në një sistem kryesues PS i ka dhënë më shumë stabilitet vendit dhe e ka bërë vendin të jetueshëm. Fenomeni i emigracionit ndodh kudo ku ka disnivel. Kjo ndodh në çdo vend se nevoja për punë është rritur në BE. Shqipëria do të vuajë nga këto, por me politikat e reja qeveritare dhe me rritjen e rrogave.  Ka ardhur momenti që brenda mundësive që të stimulohen të rinjtë e te rejat për të qëndruar në Shqipëri. Fakti që Shqipëria është vend i qëndrueshme edhe me rritje ekonomike lineare, ka pasur progresin më të mirë në krahasim me rajonin”.

Duke qenë se ky është një vit elektoral, Gjiknuri shprehet se qasja e mazhorancës tek elektorati është përmes projekteve konkrete dhe transparencës. Kjo sipas tij është çelësi i suksesit; nevoja qytetare e përkthyer në politika publike, teksa pranon edhe dështimet.

“Mazhoranca ka programet e saj dhe kemi projekte konkrete që i kemi materializuar, opozita nuk ka vlerësuar asnjë vepër. Qasja jonë do të jetë transparencë projekte konkrete dhe atë që premton çfarë ke bërë ne shkojmë me bagazh arritjesh. Njerëzit na kuptojnë edhe vështirësitë që kemi por jemi ne që bëjmë të mundur atë që themi dhe jo ata (opozita) që e vetmja fjalë që dëgjon prej tyre është përmbysja. Të gjitha politikat tona reflektojnë shqetësime lokale dhe mënyra si e kemi ne të strukturuar delegiumin politik. Ky është çelësi i suksesit nevoja qytetare dhe përkthimi në politika publike. Jo domosdoshmërisht gjithçka ka funksionuar mirë dhe ky është procesi i vetëpërmirësimit, ky është qëllimi ideal. Të gjitha politikat tona do të adresojnë të gjitha shqetësimet. Qeveria po nxit kreditë e buta dhe grantet e agroturizmit për t’i dhënë jetë zonave rurale.”

https://youtu.be/MkRUWbfL8H8

I pyetur nëse PS ka distancuar ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, Gjiknuri u përgjigj:

“Për këtë duhet të pyesni zotin Ahmetajn, nuk është drejtues politik, është anëtar aktiv edhe në komisionet  e PS. Nuk është anëtar kryesie. PS nuk distancon njeri. Disa njerëz edhe mund të mos dalin në media po kjo s’do të thotë që nuk janë aktivë. Nuk ka qëndrim zyrtar të PS për të mbajtur në distancë Ahmetajn që është një aset i PS, që ka vite që kontribuon në PS. Në PS kanë ndodhur fenomene që largohen e kthehen. Ky është një proces i natyrshëm”. 

https://youtu.be/tFrxN7anyIw

Ndërsa vetë nuk e sheh rikthimin në qeveri, duke mos e fshehur kënaqësinë e punës në parti.

“Nuk kam asnjë ambicie t’i kthehem qeverisë jam i kënaqur me punën që bëj. Vij nga një familje politike e kam në traditën e familjes sime këtë parti dhe më pëlqen ta shoh e dhe si përkthehen nevojat në politika qeverisëse dhe këtë përpiqem ta bëj më mirë”.

Gjiknuri foli edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku theksoi nevojën për disa korrigjime dhe pret nga opozita rekomandime serioze dhe jo listë dëshirash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos