GJKKO shtyn për më 8 qershor seancën për inceneratorin e Elbasanit, pretendimet e avokatit të Lefter Kokës

Nga A2 CNN
1 Qershor 2023, 09:56 | Aktualitet
GJKKO shtyn për më 8 qershor seancën për inceneratorin e

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shtyrë për më 8 qershor seancën për inceneratorin e Elbasanit. Shkak i shtyrjes mbetja pa avokat e të pandehurve Bardhyl Cabiri dhe Serafin Papa.

Në sallë, avokati i Lefter Kokës, Tritan Hamitaj pretendoi paqartësi në pretencën e prokurorisë. Sipas tij, SPAK nuk saktëson se kur ka ndodhur akti korruptiv për të cilin akuzohet Koka.

Po sipas tij, vlera e pasurive të sekuestruara të Kokës është shumë më e madhe se vlera prej 3 milionë euro e konsideruar nga SPAK si ryshfet i përfituar nga Koka. Gjithashtu, avokati tha se një sërë prej pasurive janë zotëruar nga Koka më herët dhe nuk mund të jenë produkt i veprës penale.

SA VITE BURG KËRKOHET PËR LEFTER KOKËN DHE TË PANDEHURIT E TJERË?

Ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka, rrezikon të dënohet me 10 vite burg në lidhje me akuzat për inceneratorin e Elbasanit. Prokuroria e Posaçme kërkoi deklarimin fajtor të Kokës për akuzat e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i mundshëm i Kokës reduktohet në 6 vjet e 8 muaj burg. Për ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, ish-deputetin e PS-së, Alqi Bllako, SPAK kërkoi 4 vjet heqje lirie, duke e konsideruar fajtor për “shpërdorim të detyrës”.

Lefter Koka: 10 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar, kërkohen 6 vite e 8 muaj.

Alqi Bllako: 4 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, kërkohen 2 vite e 8 muaj.

Mirel Mërtiri: 10 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, kërkohen 6 vite e 8 muaj.

Stela Gugallja: 7 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, kërkohen 4 vite e 8 muaj.

Klodian Zoto: 10 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, kërkohen 6 vite e 8 muaj.

PRETENCA E SPAK DHE PRETENDIMET E PROKURORËVE TË ÇËSHTJES:

Prokurori i SPAK, Arben Kraja, i tha gjykatës se ish-ministri Koka ka dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, në kontratën koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, duke favorizuar shoqërinë “AlbtekEnergy”. Sipas SPAK, biznesmenët Mërtiri e Zoto kanë qenë në kontakt të vijueshëm me Alqi Bllakon dhe Etleva Kondin, e cila gjykohet e veçuar.

Po sipas SPAK, Koka ka përfituar një ryshfet prej gati 308 milionë lekë të rinj, përmes një skeme fiktive pjesë e së cilës janë bërë biznesmenët Gugallja, Zoto e Mërtiri. Lëvrimi i parave nga buxheti i shtetit, u bë përmes pagesave të disa shoqërive përpunime të pakryera në incenerator, por të bëra vetëm në letra.

Pretenca nuk u mirëprit nga avokatët mbrojtës. “Që kjo është një çështje politike, aspak ligjore. Prandaj ka shkuar deri në këtë pikë, duke katërfishuar masat e dënimit”, tha avokati Saimir Vishaj.

Në pretencë, SPAK kërkoi edhe mbylljen e NIPT-it për shoqëritë “Albtek Energy” dhe “Integratet Technology Servises”, si edhe konfiskimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme të tyre, konfiskimin e pasurive të 4shoqërive të tjerë, mes të cilave 8 apartamente, si edhe 88% të aksioneve të Lefter Kokës në një kantinë pijesh alkoolike. Konkluzionet e mbrojtjes do të dëgjohen nga gjykata në 1 qershor. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/18/spak-kerkon-10-vite-burg-per-lefter-koken/
https://a2news.com/2023/05/18/pretenca-per-te-akuzuarit-e-inceneratorit-te-elbasanit-avokati-vishaj-spak-beri-dallime-ja-parimi-qe-shkeli/

A2 CNN Livestream

Latest Videos