Qeveria mbyll Albanologjinë, reagojnë dy akademitë, pro dhe kundër vendimit të Këshillit të Ministrave

Nga A2 CNN
31 Maj 2023, 15:35 | Aktualitet
Qeveria mbyll Albanologjinë, reagojnë dy akademitë, pro dhe

Pas vendimit të këshillit të Ministrave për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe transferimin e plotë të njësive përbërëse pranë Akademisë së Shkencave, kanë reaguar edhe dy institucionet që preken drejtpërsëdrejti nga ky vendim.

Qeveria ka shpërbërë sot me një vendim të Këshillit të Ministrave Akademinë e Studimeve Albanologjike. Studiuesit e kësaj akademie e quajnë shpërbërje, Gjinushi si kryetar i Akademisë së Shkencave, një transferim, por vetë kryeministri Rama që në titullin e projektvendimit e ka konsideruar mbyllje të kësaj Akademie.

Studiuesit e Albanologjisë që deri më tani ishin në varësi të Ministrisë së Arsimit, pritet të kalojnë kontributin e tyre në Akademinë e Shkencave. Prej ditësh, që kur vendimi ishte një projekt propozim, ASA e ka quajtur të jashtëligjshëm. Sot, me vendimin e firmosur, dhe me daljen publike të ministres Kushi, deklarata e Albanologjisë thekson se është plotësisht kundër vendimit të Këshillit të Ministrave.

“Është një vendim politik që godet shkencën e Albanologjisë në Shqipëri; Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë. Akademia e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik”.

Ndërsa Akademia e Shkencave ku do të transferohen dhe kalojnë ligjërisht të gjitha asetet dhe pasuritë e Akademisë së Studimeve Albanologjike, e përshëndet këtë vendim të këshillit të ministrave.

“Statusi i ri që u jepet instituteve shkencore të albanologjisë si pjesë elitare e sistemit të kërkimit shkencor, pas një periudhe veprimtarie jo në përputhje me ligjet në fuqi, do të forcojë dukshëm edhe vetë statusin e punonjësve shkencorë. Ky vendim shpreh rritjen e interesit e të angazhimit të qeverisjes për të rritur dhe evidencuar financimin dhe investimet për kërkimin shkencor”.

Me firmosjen e vendimit dhe hyrjen në fuqi të tij, Akademia e studimeve Albanologjike vijon ushtrimin e veprimtarisë së saj deri në transferimin e plotë të njësive përbërëse pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/27/albanologjia-drejt-mbylljes-studiuesit-akt-i-rende-antikombetar-nisma-per-interesat-e-gjinushit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos