Gjobat për maskat, qytetarët ruajnë shëndetin dhe "xhepin"

Nga A2 CNN
17 Tetor 2020, 16:55 | Aktualitet
Gjobat për maskat, qytetarët ruajnë shëndetin dhe

Prej datës 15 Tetor, përmes një akti normativ qeveria ka bërë të detyrueshmë vendosjen e maskës edhe në ambjente të hapura.

Në vetëm një ditë, policia e shtetit vendosi 370 gjoba. Por vetë qytetarët ç’mendojnë për këtë gjobë? A iu duket ajo e drejtë dhe e përballueshme?

“Jo, se populli është shumë i varfër. Vetëm për këtë”, shprehet një qytetare.

“Kjo është një masë ekstreme le të themi. Ose bëhet për shkaqe politike, më shumë edhe për pjesën e stimulimit të tenderave për maskat që mund të jetë me fitim ose thjesht të mbushet buxheti i shtetit”, shton një tjetër.

Ka të tjerë që nuk janë në dijeni për ekzistencën e kësaj mase administrative.

"Unë nuk e di farë për gjobën faktikisht”, thotë një i ri.

Dikush e vendos maskën edhe pse pohon se nuk kishte dëgjuar për gjobën. Pjesa dërrmuese kalonte në rrugë me maska mbrojtëse, por nuk mungonin edhe ata që nuk e kishin vendosur.

Një grup shqiptarësh nga Kosova viziton Tiranën dhe njëri prej tyre tregon për një realitet të ngjashëm edhe në vendin e tij.

Një amerikane rrëfen eksperiencën e Shteteve të Bashkuara dhe jep mendimin e saj për masën administrative që aplikohet në Shqipëri.

“Nuk e di nëse në SHBA ekziston një gjobë për mosmbajtjen e maskës por përsa i përket situatës në Shqipëri, mendoj se përderisa vendosja e maskës funksionon dhe është e nevojshme për ti mbajtur njerëzit e sigurtë, kjo është një ide e mirë. Në të kundërt ata nuk do ti vendosin maskat.”, shprehet ajo.

Në ditët e para të hyrjes në fuqi të aktit normative dallohet një përgjigje konkrete nga ana e popullatës, mesa duket më tepër si masë mbrojtëse për shëndetin, por edhe për të mos paguar 3 mijë lekë nga xhepi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos