Gjuetia vazhdon, DEA rrit në vlera historike shpërblimin për djemtë e El Chapos

Nga A2 CNN
27 Prill 2023, 11:51 | Bota

Agjencia Amerikane e Antidrogës (DEA) ka dyfishuar së fundmi shpërblimin për këdo që ka informacione që do të çojnë në kapjen e djemve të El Chapos, në përpjekje për të shpartalluar një herë e përgjithmonë organizatën famëkeqe kriminale që dikur drejtohej nga babai i tyre.

Karteli i Sinaloas, të cilit mendohet se tani e drejtojnë djemtë e Joaquin Guzman, konsiderohet nga autoritetet amerikane si një prej furnizuesve kryesorë të fentanilit (një drogë sintetike 100 herë më e fuqishme se morfina) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

DEA tani ofron 10 milionë dollarë për Iván Archivaldo Guzmán Salazar dhe Jesús Alfredo Guzmán Salazar. Shifra është ndër më të lartat e ofruara ndonjëherë në historinë e drejtësisë amerikane. Për babain e tyre, shifra më e lartë e vendosur ka qenë 5 milionë dollarë, ndërsa për liderin e Al-Qaeda, Ayman al-Zawahiri, ishte vendosur një shpërblim prej 25 milionë dollarësh.

DEA gjithashtu futi edhe Iván Archivaldo-n në listën e 10 personave më të kërkuar, duke iu bashkuar kështu vëllait të tij Jesús Alfredo. Bashkë me vëllain tjetër, Ovidio Guzmán López, i cili është arrestuar në Meksikë dhe do të ekstradohet në SHBA, ata drejtojnë gjysmën e kartelit.

Sipas autoriteteve meksikane dhe amerikane, bosi tjetër i organizatës është 75-vjeçari Ismael "El Mayo" Zambada, bashkëpunëtor i hershëm i El Chapos. Për të, DEA ofron një shpërblim prej 15 milionë dollarësh.

Të njohur si “Los Chapitos”, tre vëllezërit morën pushtet fillimisht në janar 2016, pas arrestimit të babait të tyre, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm në SHBA. Sipas Departamentit të Drejtësisë në SHBA, Karteli i Sinaloas mbetet një prej organizatave kriminale më të rëndësishme në botë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/23/princat-e-kartelit-brenda-jetes-luksoze-dhe-te-rrezikshme-te-djemve-te-el-chapos/
https://a2news.com/2022/09/16/kush-eshte-njeriu-qe-trashegoi-mbreterine-e-droges-nga-el-chapo/
https://a2news.com/2019/07/18/ferri-i-teknologjise-se-larte-burgu-ku-el-chapo-po-mbyll-ditet/
https://a2news.com/2019/07/18/terroriste-agjente-te-dyfishte-e-vrases-seriale-shoket-e-burgut-te-el-chapo-s/
https://a2news.com/2021/11/05/zoti-i-qiejve-misteri-i-njeriut-me-shume-fytyra-i-cili-dominoi-trafikun-e-kokaines-para-el-chapos/
https://a2news.com/2021/02/21/eshte-me-i-frikshem-se-el-chapo-legjenda-e-dea-s-bosi-i-kartelit-mund-te-mos-arrestohet-kurre/
https://a2news.com/2023/02/22/ne-serialin-e-netflix-i-ndryshuan-emrin-per-arsye-sigurie-historia-e-arkitektit-te-luftes-kunder-droges-qe-mori-miliona-dollare-nga-el-chapo/

A2 CNN Livestream

Latest Videos