"Gjuha e tij e padenjë", Berisha: Rama turpëroi vendin, synon të izolojë Shqipërinë

Nga A2 CNN
25 Qershor 2022, 17:22 | Politikë
"Gjuha e tij e padenjë", Berisha: Rama turpëroi vendin,

Sali Berisha vazhdoi të komentojë qëndrimet e forta të Kryeministrit Rama ne Bruksel, jo vetëm ndaj liderëve të Bashkimit Europian, por edhe vetos bullgare. Kryetari i PD shkruan në mediat sociale se gjuha politike e Ramës është e padenjë për një shtetar pasi ajo turpëron dhe ka kosto për vendin.

“Të dashur miq, nuk është hera e parë që komunikimi, fjalori dhe etika e Edi Ramës, brenda dhe jashtë Shqipërisë, është e padenjë dhe ordinere.

Gjuha politike e papranueshme e Ramës, e paprecedentë dhe e papërgjegjshme, si e asnjë kryeministri tjetër në Europë, e përdorur në Samitin e BE-së, si dhe sulmi i drejtpërdrejtë ndaj Bullgarisë, dëshmojnë një sërë problemesh thelbësore për figurën dhe qeverisjen e tij”, tha Berisha.

Sipas Berishës, kreu i qeverisë ka për qëllim të tërheqë vëmendjen nga problematikat shkatërrimtare që ka sjellë në vend. Edhe kundërpërgjigjja e Kryeministrit ndaj reagimit të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, tregon sipas kreut të PD  se Rama ka për qëllim izolimin e Shqipërisë në Ballkanin e Putinit – siç e quan ai projektin e Ballkanit të Hapur dhe jo hapjen e saj drejt BE.

“Bullgaria as që nuk do t’ja dijë për demagogjinë dhe katalogjet me piktura që Rama shpërndan nëpër takime lartë e poshtë, ndaj edhe Ministria e Jashtme e Bullgarisë del me deklaratë publike kundër qëndrimeve të Ramës në Bruksel.

Përgjigja e pafre e Ramës ndaj Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, po me të njëjtën gjuhë të një diletanti e dështaku politik, tregon edhe njëherë se Rama ka për qëllim izolimin e Shqipërisë në Ballkanin e Putinit dhe jo hapjen e saj drejtë BE-së”, shkruan Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos