
Nuk kanë të sosur problemet e Novak Djokoviç me autoritetet australiane në prag të “Australian Open”. Ylli serb i tenisit ka humbur apelin kundër vendimit të qeverisë australiane për të anuluar vizën e tij për herë të dytë.
Por ndërsa vendimi i së dielës është një pengesë, sipas ekspertëve nuk është ende fundi i rrugës.
Sipas disa ekspertëve, Djokoviç mund ta çojë çështjen në gjykatën më të lartë të Australisë, megjithëse nuk ka shumë kohë pasi turne fillon së shpejti.
Ekziston gjithashtu mundësia që Djokoviç të mund të marrë një vizë të përkohshme, e cila mund ta lejojë atë të luajë në turne ndërsa bën marrëveshje për t'u larguar nga Australia.
Por ka një pengesë, pasi kjo vizë mund të jepet vetëm nga ministri i imigracionit, i njëjti person që e anuloi vizën e tenistit të premten.
Djokoviç prej disa ditësh është duke u përballur me autoritetet në Australi për shkak se udhëtoi pa qenë i vaksinuar. (A2 Televizion)