
Luan Daci, gjyqtari i pezulluar i Kolegjit të Posaçëm të Vetingut, shkallës së dytë të vetingut, humbi përballjen me drejtësinë edhe në Gjykatën e Lartë. Kjo gjykatë vendosi të mos pranojë rekursin e bërë prej Dacit, kundër vendimit të Apelit të Posaçëm, që e fajësoi për “falsifikim të dokumenteve”.
Vendimi i Gjykatës së Lartë, i dhënë në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, lë të pandryshuar dënimin e dhënë më herët nga Apeli i Posaçëm me 6 muaj burg për Dacin, të konvertuar në 12 muaj Shërbim Prove.
Në Shkallën e Parë dhe Apelin e Posaçëm, gjyqtari Daci u fajësua për falsifikimin e kërkesës mes të cilët ka aplikuar për të qenë pjesë e KPA në vitin 2007. Sipas SPAK, ai nuk deklaroi një masë disiplinore “largim nga detyra” nga KLD si gjyqtar në vitin 1997.
Gjykata e konsideroi si dokument kërkesën për aplikim, pasi përmes saj Daci u bë pjesë e KPA. Vendimi i Gjykatës së Lartë pritet të çojë në shkarkim nga detyra gjyqtarin e vetingut, i cili ka qenë i pezulluar prej korrikut 2020,kur u mor i pandehur nga SPAK. Ai nuk e humbi detyrën as kur fajësia ndaj tij mori formë të prerë në Apel. Kjo për faktin se vendimi pritet të riaktivizojë procedimin disiplinor të nisur ndaj Dacit nga një Komision Disiplinor në KPA, procedim që ishte pezulluar deri në shprehjen e Gjykatës së Lartë për rekursin. Në vijimësi, Daci ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën dhe ka kërkuar pushimin e saj. (A2 Televizion)