
Gjykata e Posaçme vendosi të shtyjë seancën paraprake të kërkesës së SPAK për dërgimin në gjyq të dosjes penale në ngarkim të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Ish-gjyqtari i shkarkuar nga procesi i vetingut akuzohet nga SPAK për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Seanca e së hënës u shty me kërkesë të ish-kryegjyqtarit kushtetues për t’u njohur me materialet e dosjes. Dedja u mor si i pandehur në korrik të këtij viti, ndërsa në prill, në zbatim të ligjit “Antimafia” atij iu sekuestrua një apartament 60 m2 në plazhin e Golemit.
Javën e kaluar Gjykata e Posaçme ktheu në SPAK për plotësim të hetimit dosjen në ngarkim të ish-anëtarit tjetër të Kushtetueses, Fatos Lulo, i marrë si i pandehur në të njëjtën ditë me Dedjen, po për “fshehje pasurie”. (A2 Televizion)