Gjykata merr vendimin: Lefter Koka dhe Alqi Bllako përfitojnë gjykim të shkurtuar

Nga A2 CNN
29 Maj 2023, 13:26 | Kronikë
Gjykata merr vendimin: Lefter Koka dhe Alqi Bllako përfitojnë gjykim

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, do të gjykohen me gjykim të shkurtuar në Gjykatën e Posaçme, mbi akuzat e SPAK kundër tyre për inceneratorin e Fierit.

Kërkesa për gjykim të shkurtuar u artikulua nga avokatët e tyre, por u konfirmua edhe nga Koka e Bllako, të pranishëm në kafazin e sallës së gjyqit. Përmes kësaj forme të posaçme, gjyqi bëhet mbi dosjen e sjellë nga prokuroria, pa marrë prova të reja dhe në përfundim, në rast fajësie, të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit. Gjykimi i shkurtuar u pranua edhe për 14 të pandehur të tjerë, mes të cilëve ish-zv.presidenti i FSHF, Arben Dervishaj dhe biznesmeni Klodian Zoto, si edhe për tre shoqëri tregtare. Për të pandehurit Etleva Kondi, Arenc Myrtezani dhe italiani Giussepe Chiafaglione dosja penale u veçua dhe do të vijojë me procedurën e gjykimit të zakonshëm.

Në të njëjtën seancë gjykata refuzoi kërkesën e të pandehurit Arben Dervishaj dhe Regan Merdanit për moskompetencë të gjykimit të tyre nga GJKKO. Në seancën e radhës, e caktuar në 12 qershor, SPAK pritet të lexojë pretencën, kërkimin e saj mbi fajësinë dhe dënimet e të pandehurve.

Në dosjen e inceneratorit të Fierit, ish-ministri Koka akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion të zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash”, ndërsa ish-deputeti Bllako për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion të funksionarëve publikë”. Sipas SPAK, për të favorizuar në mënyrë të jashtëligjshme shoqërinë koncesionare të inceneratorit të Fierit, ish-ministri i mjedisit, Koka ka përfituar 146 milionë lekë ryshfet, ndërsa Alqi Bllako 14 milionë.

Ndërsa Klodian Zoto akuzohet të ketë përfituar 4 milionë euro për shërbime që nuk janë kryer, por janë paraqitur situata të falsifikuara, duke i kryer vetëm në letra punimet. Pak ditë më parë, në procesin e inceneratorit të Elbasanit, SPAK kërkoi dënimin me 6 vjet e 8 muaj burg për Kokën dhe 2 vjet e 8 muaj për Bllakon. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/29/inceneratori-i-fierit-gjykata-rrezon-kerkesen-e-dervishajt-e-merdanit/
https://a2news.com/2023/03/24/inceneratori-i-fierit-gjykata-rrezon-disa-akuza-per-bllakon-dhe-dervishajn-ceshtja-shkon-per-gjykim/
https://a2news.com/2023/03/24/inceneratori-i-fierit-gjykata-kalon-per-gjykim-lefter-koken-dhe-alqi-bllakon/

A2 CNN Livestream

Latest Videos