
Kur kanë kaluar më shumë se 5 vjet nga nisja e tij, procesi i vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri ka marrë goditjen e parë nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Kjo gjykatë ka pranuar ankimin e bërë nga ish-prokurori Besnik Cani, për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë procesit ndaj tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, që e shkarkoi nga detyra. Sipas Gjykatës së Strasburgut, ish-prokurori Cani i është cenuar e drejta e një procesi të rregullt ligjor.
Arsyetimi i gjykatës europiane është lidhur me praninë e gjyqtarit të KPA, Luan Daci, në trupën gjykuese, i cili u procedua nga drejtësia shqiptare dhe u fajësua për “falsifikim të dokumenteve”. Duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si Daci ishtë bërë pjesë e Kolegjeve të vetingut, Strasburgu vlerëson se trupa që dha vendimin ndaj Canit nuk ishte “një gjykatë e krijuar me ligj”.
Vendimi i Gjykatës Europiane nuk e kthen në detyrë prokurorin e shkarkuar për probleme me pasurinë, por detyron shtetin shqiptar në një rihapje të çështjes ndaj tij.
“Sipas nenit 46 (forca detyruese dhe zbatimi) Gjykata konstatoi se kompensimi më i përshtatshëm për shkeljen e të drejtave të kërkuesit do të ishte rihapja e çështjes dhe rishqyrtimi i saj në përputhje me kërkesat e nenit 6 § 1 të Konventës”, thuhet në vendimin e Strasburgut.
Besnik Cani u shkarkua nga detyra në shkurt të vitit 2020, vendim që u motivua me mungesën e burimeve të ligjshme për justifikimin e pasurisë dhe cenimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë. Në përballjen me KPA, Cani ngriti pretendimin se Daci nuk duhet të ishte pjesë e KPA, madje i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të verifikonte ligjshmërinë e tij. (A2 Televizion)