Gjykatat jofunksionale, Meta ankohet në KED: Po vonohet Kushtetuesja dhe Gjykata e Lartë

Nga A2 CNN
16 Shtator 2020, 10:06 | Aktualitet

Edhe pa Ardian Dvoranin në krye, KED është objekt i ankesave të presidentit për vonesë në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Të njëjtën ankesë dhe akuzë, në një letër të hapur, ai shpreh për Këshillin e Lartë Gjyqësor që duke mos ngritur Gjykatën e Lartë, po bllokon 3 anëtarët e tjerë që duhet të dërgojë në Kushtetuese.

Një shqetësim më vete Presidenti e ka me KED që në mbledhjen e fundit vendosi të shqyrtojë të ndarë 4 nga 10 kandidatët për një nga vakancat e shpallura prej tij në Gjykatën Kushtetuese.

“Një ndarje e tillë, përveçse do të sjellë implikime të forta ligjore për veprimtarinë e KED-së, krijon dyshime për një proces selektiv të paramenduar dhe vonesë të qëllimshme në këtë proces. Kjo qasje krijon një hije të rëndë dyshimi se anëtarët e Këshillit mund të jenë nën trysni nga faktorë të ndryshëm, të cilët po përpiqen t’i diktojnë KED-së mënyrat që si pakuptuar, mund të çojnë në dështimin e qëllimtë të procesit të përzgjedhjes së anëtarit për vakancën e tretë në proces shqyrtimi, apo së paku shtyrjen e këtij procesi sërish me disa muaj të tjerë”, shkruhet në njoftimin e Presidencës.

Ky shqetësim i presidentit mbajti gjatë gjallë debatin në mbledhjen e së mërkurës së KED-së.  Burimet thanë për A2 se në këtë pikë, ai mori edhe mbështetjen e përfaqësuesve të Kuvendit që kërkuan shqyrtimin e të gjitha kandidaturave njëherësh.

Asnjë nga këto vërejtje nuk u pranua. Vonesat me Gjykatën Kushtetuese janë një problem edhe për mazhorancën.  Por përveç vonesave në filtrim nga KED, për 2 kandidaturat e tjera të Kuvendit e Presidencës, rrezikohet të mos ketë fare interes, pasi mandati është 2 vjeçar, për të zëvendësuar anëtarët e shkarkuar nga vetingu. Për këtë mazhoranca po përpunon zgjidhje.

Ardian Dvorani nga ana tjetër kërkon rikthim në KED. Kjo e fundit shqyrtoi këtë të mërkurë letrën e tij me këtë kërkesë, por e kundërshtuar fort nga Presidenca. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos