
Blerina Gjylameti, e dyta në listën e PS në Qarkun e Korçës, foli në Ditarin e orës 13:00 në A2 për fushatën elektorale dhe pritshmëritë e saj nga zgjedhjet e 25 prillit.
Ajo u shpreh se qytetarët në qarkun e Korçës dhe në veçanti në Pogradec, do të votojnë Partinë Socialiste për të vijuar projektet e nisura, por edhe për të sjellë ndryshimin edhe në fshatra.
“Pas 2 mandatesh në Tiranë, u pa e udhës nga kryesia që të kandidoja në qarkun e Korçës, në Pogradec, që është origjina e dy prindërve të mi. Dua të jem zëri i qytetarëve të Pogradecit, besoj te forca në të cilën unë aderoj dhe për të vijuar me projektet transformuese në këtë qytet. Në 8 vite, në Pogradec është bërë shumë, por ngelet edhe shumë për të bërë. Jam e bindur që duke vijuar të votojmë PS-së mund t’ia dalim që ta kthejmë Pogradecin në një nga destinacionet e turizmit.
Kemi një ekip fitues në Korçë dhe do të vazhdojmë më tej projektet transformuese për qarkun.
Me votën që ne do të marrim më 25 prill do të vijojmë me transformimin e qytetit të Pogradecit, por mbi të gjitha atje ku duhet të mbërrijmë, në malësi dhe në fshat. Ne do të punojmë si ekip për të gjitha këto procese. Në fund, qytetarët do të votojnë ata që janë të fokusuar te puna dhe jo ata që nuk kanë vëmendje ndaj kërkesave të qytetarëve”, u shpreh Gjylameti. (A2 Televizion)