
Pesë muaj nga jetësimi i Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta ngre pikëpyetje mbi ndikimin politik në këtë institucion.
Shkak u bë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi padinë e Kontrollit të lartë të Shtetit. KLSH kishte kërkuar hedhjen poshtë të një neni në ligjin për qeverisjen vendore që parashikonte se auditimin e financave vendore mund t’i bëjë KLSH ose auditues privat.
“Presidenti i Republikës, përmes këtij qëndrimi, shpreh shqetësimin e thellë për këtë çështje, e cila edhe pse kishte 3-vite që priste të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit nuk i dha një zgjidhje të drejtë dhe kushtetuese, mbrojtjes së interesit publik, dhe as nevojës ekstreme që ka vendi sot për ruajtjen e pacenuar të financave publike”.
Vendimi i gjykatës nuk është marrë në unanimitet, ku pesë votuan pro rrëzimit të kërkesës dhe dy ishin kundër. Për pesë gjyqtarët që vendosën kundër preferencës së tij, presidenti beson se nuk kanë interpretuar drejtë ligjin themeltar të shtetit.
“Jam i bindur se atë që nuk mundi ta realizojë Gjykata Kushtetuese, do ta realizojë Kuvendi i Shqipërisë, që do të dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 25 prillit”.
Pas këtij vendimi, Meta ngriti akuzën se pushteti vendor mund të abuzojë me financat publike pasi sipas tij, kontrollohet nga mazhoranca. (A2 Televizion)