
Gjykata e Posaçme e Apelit ka caktuar datën 12 mars për zhvillimin e seancës së parë të dosjes ndaj Saimir Tahirit.
Në orën 09:30 të kësaj date, ish-ministri i Brendshëm pritet të përballet me treshen gjykuese të Apelit të përbërë nga Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni.
Tahiri i kërkon Apelit të prishë dënimin e dhënë për të dhe ta deklarojë të pafajshëm. Nga ana tjetër, ish-Prokuroria për Krimet e Rënda, aktualisht SPAK, i kërkon Apelit të fajësojë Tahirin për “trafik të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Në Shkallën e Parë, ish-ministri u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg për “shpërdorim të detyrës”, por dënimi u zëvendësua me lënien e tij në shërbim prove për 3 vjet. (A2 Televizion)