“Gomone me drogë nga Shqipëria në Greqi”, Policia shqiptare: Lajmi pavërtetë, operacioni në kufi me Turqinë

Nga A2 CNN
25 Shtator 2019, 17:12 | Kronikë
“Gomone me drogë nga Shqipëria në Greqi”, Policia

Policia e Shtetit ka reaguar pas raportimeve se Policia greke po kryen një operacion për të kapur dy gomone që janë nisur nga Shqipëria.

“Nga komunikimi paraprak me homologët grekë, lajmi i dhënë në media është tërësisht i pavërtetë. Operacioni zhvillohet në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë dhe jo në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe nga komunikimi i deritanishëm  dhe shkëmbimi i informacionit  nuk ka asnjë të dhënë   që  mjetet lundruese të jenë  nisur nga Shqipëria”, thuhet në reagimin e Policisë.

Megjithatë, në një prej gomoneve që është ndaluar, janë identifikuar dy shqiptare. “Policia Greke gjatë operacionit ka kapur një prej mjeteve lundruese, brenda të cilit nuk është gjetur lëndë narkotike dhe ka ndaluar dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas italian që ndodheshin në bordin e skafit”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë shqiptare.

Gazeta greke “Kathimerini” në versionin e saj online raporton se në ujërat mes brigjeve turke dhe ishullit Lesbos po kryhet një operacion ku kanë marrë pjesë roja bregdetare greke e ndihmuar edhe nga helikopterë të Frontex.

Një prej skafeve (në foto) është ndaluar pas paralajmërimeve të snajperëve grekë, ndërsa vazhdon kërkimi për të dytin. Tre persona që ishin në bord, dy shqiptarë dhe një italian, janë ndaluar ndërsa mjeti është dërguar në portin e Mytilene për kontroll.

Po sipas “Kathimerini”, varka ishte pikasur fillimisht duke kryer lëvizje të dyshimta në bregdetin shqiptar, para se të nisej drejt Turqisë, duke u ndaluar pranë ishullit Lesbos. Fillimisht u ndoq nga Roja Bregdetare turke e më pas nga pala greke. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos