Grabitja më e madhe në historinë e Kanadasë, rrëmbehen 15 milionë dollarë ar në aeroport

Nga A2 CNN
21 Prill 2023, 08:51 | Bota
Grabitja më e madhe në historinë e Kanadasë, rrëmbehen

Policia kanadeze ka nisur hetimet për grabitjen e një sasie të madhe ari në Aeroportin Ndërkombëtar të Torontos, i cili shpeshherë përdoret për të magazinuar materialin e rrallë të nxjerrë nga minierat në Ontario.

Sipas të dhënave paraprake, grabitësit dyshohet se kanë marrë ar me vlerë 15 milionë dollarë dhe sende të tjera me vlerë.

Kontejneri me vlerë të lartë mbërriti në aeroport në mbrëmjen e 17 prillit dhe u transportua në një objekt ku depozitohen zakonisht mallrat me vlerë. Policia beson se pikërisht në këtë vend ka ndodhur edhe grabitja.

Kjo vjedhje mund të konsiderohet si ndër më të mëdhatë në historinë kanadeze, duke përfshirë këtu dhe grabitjen e 3000 tonëve shurup panje në vitin 2012, e cila vlerësohej më shumë se 12 milionë dollarë.

Inspektori i Policisë, Stephen Duivesteyn, tha se ekipi hetimor po shqyrton të gjitha pistat dhe e përshkroi incidentin e së hënës si të izoluar. Ai tha se kontejneri i avionit ishte rreth 5 metra katrorë në madhësi, por nuk pranoi të thoshte se sa peshonte.

Toronto Sun raportoi më herët, se policia mendonte se grupet e krimit të organizuar janë përfshirë në këtë grabitje të rëndë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos